Ibrahimi pyet Ali Ahmetin: Pse Vuçiqi po shqetësohet për humbjen e BDI-së?
Sekretari i Përgjithshëm i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, i shtroi pyetje publike kreut të BDI-së Ali Ahmeti, lidhur me deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Nga tubimi i Alternativës në Çair, Ibrahimi pyeti Ali Ahmetin se pse Vuçiqi shqetësohet kaq shumë për humbjen e BDI-së.
“Çfarë është ajo punë që e ka shkaktuar atë dhimbje të Vuçiqit se po humb Ali Ahmeti këtu?! A ka të bëjë kjo punë me ato dosje të shërbimit të UDBA-s që i nxjerrte një kohë Menduh Thaçi? A ka të bëjë me çështjet e biznesit të Soravias e që lidhen me familjen e tij? A ka të bëjë me çështje të zeza, që janë të panjohura e që ka mundësi të publikohen? Apo është e lidhur me çështje të sigurisë ushtarake që kanë të bëjnë me emrat e ish-ministrave të mbrojtjes, Fatmir Besimi e Talat Xhaferi?”, pyeti Ibrahimi.
Para disa ditësh, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq bëri një deklaratë të paprecedentë, duke u shprehur i shqetësuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po ndihmon opozitën shqiptare për ta mundur Ali Ahmetin.




