Ministri Hasani: Shqipëria mbështetëse e Kosovës në anëtarësimin e saj në NATO

Zv/kryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani, raporton Anadolu.
Në një konferencë për media pas takimit të mbajtur në Ministrinë e Jashtme, ministrja Gërvalla tha se e ka njoftuar ministrin shqiptar për zhvillimet e fundit në Kosovë, sidomos për shtrirjen e sovranitetit në pjesën veriore të Kosovës.
Gërvalla tha se situata e sigurisë në veri mbetet sfidë sepse krimi i organizuar dhe strukturat kriminale edhe gjatë vitit 2024 do të vazhdojnë të përpiqen ta destabilizojnë Kosovën.
“Me pozicionin e saj gjithnjë e më të fuqishëm në arenën ndërkombëtare dhe brenda organizatave ndërkombëtare, Republika e Shqipërisë do të luaj rol më proaktiv në të gjitha temat e sigurisë dhe të paqes në rajonin tonë”, theksoi Gërvalla.
Tutje, ministrja Gërvalla tha se me homologun e saj u pajtuan edhe për shkëmbime diplomatësh të rinj midis dy vendeve.
Ministri shqiptar Hasani tha se Shqipëria do të jetë ndihmëse e Kosovës në agjendën e saj drejt integrimit evropian.
Ai tha se me ministren Gërvalla diskutuan konkretisht për mënyrën e dërgimit përpara të agjendës së përbashkët, anëtarsimin e Kosovës në organizata rajonale ndërkombëtare dhe integrimin e saj në NATO.
“Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga prioritetet e kryesisë shqiptare të Kartës së Adriatikut përgjatë vitit 2024. Për sa i përket integrimit në Bashkimit Evropian, kjo është një nga pikat kryesore që Shqipëria ngre në çdo takim dhe ndërveprim me partnerët tanë, që integrimi plotë i rajonit në BE është një domosdoshmëri dhe mënyra e vetme për të garantuar një herë e mirë paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, rrjedhimisht të vet Evropës”, theksoi Hasani.
Ministri shqiptar Igli Hasani do të pritet gjatë ditës në takim edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.