Gashi: Ky është shansi i fundit për shqiptarët që të dalin nga letargjia 20 vjeçare e përfaqësimit nga politikanë të falimentuar
Një nga prioritetet e Lidhjes Europiane për Ndryshim është kujdesi për familjen. Këtë e deklaroi kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, i cili tha se ata besojnë se vetëm familja tradicionale është garanci për shpëtimin e kombit.
“Kështu ka qenë që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e Ymer Prizrenit dhe kështu do të jetë edhe me Lidhjen Europiane për Ndryshim. Le ta dinë mirë të gjithë ata që duan ta dëmtojnë familjen tonë shqiptare se janë në luftë me ne, me Lidhjen Shqiptare dhe me të gjithë shqiptarët”, tha Gashi.
Ai shtoi se ky është shtegu i vetëm nëpër të cilin duhet të kalojë Maqedonia e Veriut, ndërsa për shqiptarët është treni i fundit që të dalin nga letargjia 20-vjeçare e përfaqësimit nga politikanë tashmë të falimentuar.
“Sot “Lidhja është gjallë” për t’i ngjitur shkallët e fundit të kësaj përpjekjeje, për ta ngritur në qiell flamurin e lirisë, demokracisë, drejtësisë dhe barazisë, që tashmë personifikohet në fitoren e re, që po gatuhet e qëndiset për pranverën e vitit që vjen, ndërsa emri i saj është Lidhja Europiane për Ndryshim”, tha Gashi.




