Mbi 2.3 milionë banorë të Gazës kanë mbetur pa asnjë linjë kontakti me pjesën tjetër të botës
Izraeli ka intensifikuar ndjeshëm fushatën e tij bombarduese në Rripin e Gazës. Forcat izraelite thanë se në një nga netët më intensive të bombardimeve deri më tani, gjatë mbrëmjes së të premtes kishin goditur 150 objektiva nëntokësore në pjesët veriore të Gazës, duke përfshirë ato që i quajti “tunele terroriste, hapësira luftarake nëntokësore dhe infrastrukturë shtesë”.
“Forcat janë ende në terren dhe po vazhdojnë luftën. Deri në këtë orë, sa i përket aktivitetit nga mbrëmja e djeshme, nuk ka viktima në forcat tona. Ne do të vazhdojmë të bëjmë një përpjekje të madhe për të mbrojtur trupat tona me zjarr të fortë nga ajri, por kjo është një luftë”, tha Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.
Operacionet e Izraelit nga ajri dhe nga toka u paraprinë nga një bllokim total i internetit dhe energjisë elektrike në Rripin e Gazës. Banorët e Gazës veçse janë që disa javë pa furnizime me ushqim, ujë dhe rrymë, por tani kanë mbetur në izolim të plotë.
Agjencia për shëndetësi e Kombeve të Bashkuara dhe grupe të tjera të ndihmës thanë se nuk janë në gjendje të komunikojnë me ekipet e tyre në Rripin e rrethuar të Gazës, përderisa po vazhdojnë bombardimet izraelite dhe sulmet tokësore. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom, tha se ndërprerja e linjave të komunikimit në Gazë e ka bërë “të pamundur që ambulancat të shkojnë te të plagosurit”.
“Ne vazhdojmë të mos kemi kontakt me stafin tonë dhe me ndërtesat shëndetësore. Jemi të shqetësuar për sigurinë e tyre”, shkroi ai në X.
UNWRA, agjencia e OKB-së për refugjatë njoftoi se deri të premten, 58 anëtarë të stafit të saj janë vrarë nga sulmet izraelite në Gazë. Që kur nisi dhuna më 7 tetor, mbi 7.300 palestinezë janë vrarë – mbi 60 për qind e tyre janë minoren dhe gra. Ndërkaq, mbi 1.400 izraelitë u vranë nga Hamasi më 7 tetor, tha ushtria Izraelite./ Alsat.mk