Gashi në Uashington: Kuvendi dhe NDI thellojnë bashkëpunimin për forcimin e demokracisë parlamentare
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë qëndrimit të tij në Uashington, ka zhvilluar një takim që e ka cilësuar si të frytshëm me drejtues të Institutit Kombëtar për Demokraci (NDI), ku në fokus ishte thellimi i bashkëpunimit institucional dhe forcimi i demokracisë parlamentare.
“Në Uashington, realizova një takim të frytshëm me znj. Tamara Wittes, Kryetare e Institutit Kombëtar për Demokraci (NDI), z. Scott Bates, Drejtor Rajonal për Europën dhe Azinë, si dhe përfaqësues të tjerë të institutit”, ka bërë të ditur Gashi.
Sipas tij, në takim është diskutuar bashkëpunimi afatgjatë ndërmjet Kuvendit dhe NDI-së, si dhe projektet kyçe që ky institut ka mbështetur ndër vite. Në veçanti, ai ka veçuar Programin për Mbështetje Parlamentare, i cili ka pasur ndikim konkret në funksionimin e Kuvendit.
“Adresuam bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet Kuvendit dhe NDI-së, si dhe projektet e rëndësishme, përfshirë Programin për Mbështetje Parlamentare, i cili prej vitesh ka dhënë rezultate të prekshme në forcimin e rolit dhe pavarësisë së Kuvendit, rritjen e transparencës, digjitalizimin dhe afrimin e institucionit me qytetarët”, ka theksuar kryeparlamentari.
Gashi ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e vlerave demokratike që promovon NDI, duke i cilësuar ato si thelbësore për funksionimin e institucioneve dhe dialogun politik.
“Theksova rëndësinë e vlerave që promovon NDI në forcimin e demokracisë institucionale dhe dialogut politik, duke shprehur njëkohësisht mirënjohje dhe gatishmëri për vazhdimin e këtij partneriteti në shërbim të përfaqësimit më të mirë të qytetarëve”, ka deklaruar Gashi.
Takimi në Uashington vlerësohet si pjesë e përpjekjeve të Kuvendit për të forcuar bashkëpunimin me partnerë ndërkombëtarë dhe për të avancuar standardet demokratike dhe institucionale në vend.




