UT falënderon kryeparlamentarin Gashi për mbështetjen në nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive
Universiteti i Tetovës ka shënuar 31-vjetorin e themelimit me një arritje të rëndësishme institucionale – nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive për punonjësit akademikë dhe administrativë. Sindikata e punonjësve të Universitetit të Tetovës e ka cilësuar këtë akt si një hap domethënës drejt forcimit të të drejtave të punonjësve dhe stabilitetit institucional.
Sipas Sindikatës, Marrëveshja Kolektive është rezultat i dialogut social dhe angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen dhe avancimin e kushteve të punës në universitet. Ajo garanton përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e sigurisë juridike dhe afirmimin e dinjitetit të punës në UT.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje në përvjetorin e 31-të të Universitetit të Tetovës simbolizon respektin institucional ndaj kontributit shumëvjeçar të punonjësve dhe vlerësimin e rolit të tyre kyç në zhvillimin dhe ndërtimin e institucionit.
Kryetari i Sindikatës së punonjësve të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shefket Dehari, theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt motivimit profesional, avancimit të standardeve akademike dhe përmirësimit të kushteve sociale në universitet.
Me këtë rast, Sindikata shprehu mirënjohje për të gjithë punonjësit e Universitetit të Tetovës dhe uroi suksese të reja dhe zhvillim të qëndrueshëm për institucionin. Një falënderim i veçantë iu drejtua edhe kryetarit të Parlamentit të RMV-së, z. Afrim Gashi, për qëndrimin e tij pozitiv dhe bashkëpunimin gjatë gjithë procesit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kolektive.



