Sedat Bislimi: Qeveria VLEN financon projektet në Studeniçan, por kryetari “i pavarur” i shet si suksese personale

Kandidati i VLEN-it për komunën e Studeniçanit, Sedat Bislimi, ka reaguar ndaj mënyrës se si kryetari aktual dhe njëkohësisht kandidati i pavarur po promovon projektet infrastrukturore në këtë komunë, raporton alfax.mk.
“Në Batincë ka filluar projekti për rekonstruktimin e rrugës 15 dhe 10 deri te rruga regjionale, si dhe ndërtimi i urës në hyrje të vendbanimit. Në tabelën e promovimit shohim komunën si ‘investitor’, realizuesin dhe projektuesit. Por askund nuk thuhet se 33.123.470,00 denarë janë siguruar nga Ministria e Transportit – Qeveria e RMV-së”. thekson Bislimi.
Ai akuzon se qeveria po bëhet transparente dhe financon projektet, ndërsa kryetari aktual po i paraqet ato si suksese të tij personale.
“Pra, buxhetin e jep qeveria, ndërsa kryetari aktual dhe kandidati ‘i pavarur’ bëjnë marketing sikur është meritë e tyre personale. Një vit qeverisje mjaftoi që projektet të nisin të lëvizin – dhe kjo duhet pranuar hapur, jo fshehur me trika politike”, u shpreh kandidati i VLEN-it.
Sipas tij, qytetarët e Studeniçanit kanë të drejtë të dinë burimin real të financimit të projekteve dhe jo të mashtrohen me propagandë politike. /alfax.mk/