Në Çair, Aerodrom dhe Gazi Babë do të vendosen 100 vetura elektrike, do të mund t’i shfrytëzoni si trotinetët
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti dhe ministrja e Energjetikës Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Boxhinovska sot nënshkruan letrën e qëllimit për mbështetjen e zbatimit të projektit “100% carsharing elektrik në Shkup”, përcjell TV21. Autoritetet njoftuan se bëhet fjalë për investim privat të kompanisë “Avant2Go” nga Sllovenia. Pilot projekti fillimisht do të zbatohet në komunat e Gazi Babës, Aerodromit dhe Çairit. Çmimet për këtë shërbim do të sillen nga 3 euro për 30 minuta deri më 6 euro për 1 orë.
“Siç e shihni në foton e parë, tashmë kemi 100 vetura të pastra elektrike në Shkup. Është shumë e thjesht për t’u përdorur. Ju duhet aplikacioni në telefon dhe ky aplikacion është çelësi për çdo veturë që do të jetë në rrugë. Përmes këtij aplikacioni e gjeni nëse ka veturë të qasshme, e prenotoni, e hapni, vozisni veturën, pas mbarimit të udhëtimit e leni veturën në vendin e caktuar, e mbyllni veturën me aplikacion dhe pagesa bëhet automatikisht”, tha Matej Qer, përfaqësues i kompanisë.
“Nënshkrimi i letërës së qëllimeve për të mbështetur sistemin elektrik carsharing përfaqëson një aksion konkret dhe të dukshëm për të zgjidhur një nga sfidat më urgjente me të cilat përballemi, ajrin e ndotur. Kjo është një mundësi drejt një Shkupi më të shëndetshëm dhe më ekologjik”, tha Izet Mexhiti, Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.