Zeqirija Ibrahimi: Në mars të vitit 2024, Ali Ahmeti me këto patriotët e tenderave apo tendave, me Ligj e bëri të shenjtë gjuhën maqedonase
Lideri i Alternativës, Dr.Zeqirija Ibrahimi, gjatë takimit me strukturat dhe aktivistët në Hasanbeg të Komunës së Gazi Babës, ka folur edhe për avancimin e gjuhës shqipe.
“Unë ju them me përgjegjësi të lartë se nuk do të ketë asnjë dëmtim të gjendjes së avancuar të gjuhës shqipe. Mirëpo nuk mund të mos e them edhe sonte këtu, Ali Ahmeti me shpurën e vet të kriminelëve e ka lënë gjuhën shqipe në gjendje të këtillë. As në kushtëtutë gjuha shqipe nuk është zyrtare e as nuk ka ligj për zyrtarizimin e gjuhës shqipe.
Ajo cfarë ne jemi duke mbrojtur është avancimi i gjuhës shqipe në këtë shkallë. Për shkak se që të bëhet shqipja zyrtare është dashur që të shkruhet në Kushtetutë se shqipja është zyrtare. Që të bëhet shqipja zyrtare është dashur që të ketë Ligj për zyrtarizimin e gjuhës shqipe”, tha Ibrahimi.
Ibrahimi, theksoi se Ali Ahmeti në mars të vitit 2024, gjuhën maqedonase me Ligj e bëri gjuhë të shenjtë duke e votuar.
“ Sa për informacionin tuaj, në mars të këtij viti 2024, jo shumë herët, Ali Ahmeti me këto patriotat e tenderave, apo tendave, e ka votuar Ligjin për përdorim të gjuhës maqedonase. E kanë bërë të shenjtë gjuhën maqedonase. Sot Afrim Gashit nuk i lejohet që të flitet shqip në Kuvend edhe nëqoftëse i vjen për vizitë Vjosa Osmani. Për shkak se Ali Ahmeti e ka bërë ligjin e këtillë. Nëqoftëse ai njeri e kishte dashur shqipen aq shumë, nuk do të kishte votuar ligj të këtillë për përdorim të gjuhës maqedonase”, tha Ibrahimi.